Përleshje e përgjakshme mes të rinjsh shqiptarë dhe grekë, një i plagosur
Transmetuar më 22-05-2020, 20:47

Gjashtë djem në moshë të re, shqiptarë dhe grekë, janë përleshur mes tyre në kalanë e Janinës në Greqi, raporton noa.al duke cituar një njoftim të policisë lokale.

Mes tyre ishin tre shqiptarë, përkatësisht 18, 20 dhe 24 vjeç. Të rinjtë grekë ishin thuajse moshatarë me shqiptarët.

Mbrëmjen e djeshme ata janë konfrontuar mes tyre në brendësi të kalasë e cila ndodhet në qendër të qytetit dhe është e mbushur kryesisht me bare, restorante e hotele dhe njihet si zonë ku qëndrojnë të rinjtë.

Është e paqartë pse ndodhi përplasja mes të rinjve. Fillimisht janë ngrënë me fjalë duke ngritur tonet gjithnjë e më shumë. Më pas, sipas policisë greke, një nga tre shqiptarët nxori një mjet prerës me të cilin plagosi një 18 vjeçar grek.

Kalaja e Janinës ku ndodhi ngjarja

I dëmtuari u dërgua në spital pa rrezik jete. Policia tha se arrestoi dy nga tre shqiptarët e dyshuar për ngjarjen, kurse nuk konfirmoi nëse u mor e njëjta masë edhe për grekët. /noa.al/

Loading...