Arsyet kryesore që çuan në vdekjen e mbi 21 mijë shqiptarëve gjatë vitit 2019
Transmetuar më 22-05-2020, 17:06

Sëmundjet e zemrës dhe tumoret ishin shkaqet kryesore të vdekjeve të shqiptarëve për kategorinë e sëmundjeve për vitin 2019, zbuluan të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave publikuar ditën e sotme.

Për vitin që lamë pas Shqipëria regjistroi 21.937 vdekje, një numër ky 0.6 për qind më i lartë nga viti paraardhës. Kjo shifër përkthehet në 768, 6 të vdekur për çdo 100 mijë banorë.

Shkaqet natyrale mbajnë peshën kryesore të vdekjeve (94,1%), pasuar nga aksidentet (2,4%), shkaqet e panjohura (1.9%) dhe vetëvrasjet (1.0%).

Me fokus në shkaqet shëndetësore, problemet me aparatin e qarkullimit të gjakut morën kryesisht jetën e shqiptarëve në masën 53.4% ose thënë ndryshe në një qytet me 100 mijë banorë, 410 prej tyre vdesin për këtë shkak.

“Brenda grup-sëmundjes të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “sëmundjet kronike të zemrës” me 29,4 %, “sëmundjeve të enëve të trurit” me 28,9 % dhe “sëmundjet ishemike të zemrës” me 23,9 %,” raportoi INSTAT.

Simptomat, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë ishin shkaku i dytë kryesor i vdekjeve prej sëmundjeve, pasuar nga tumoret që zunë vendin e tretë me 16,3 % të vdekjeve gjithsej ose 125,5 për 100 mijë banorë, shifër kjo që pësoi një ulje prej 3,0 %, krahasuar me vitin 2018.

Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi i “tumore të aparatit të tretjes”, me 34,2 % dhe “tumore të aparatit të frymëmarrjes” me 25,9 %.

Në aspektin gjinor meshkujt u ndanë nga jeta më shumë prej sëmundjeve të aparatit të gjakut dhe tumoret, ndërsa gratë vdiqën më tepër nga sëmundjet e papërcaktuara mirë.

Gjatë 2019 u rrit dhe vdekshmëria foshnjore në 10,3 foshnja për 1 mijë lindje të gjalla, krahasuar me 8,9 për vitin 2018, sipas INSTAT.

Ndërsa sëmundja në qarkullimin e gjakut është shkaku kryesor i vdekjeve për personat mbi 40 vjeç, për moshat 40 deri në 60 vjeç shkak i dytë kryesor për ndarjen nga jeta janë tumoret.

Për moshat e reja dhe personat deri në 39 vjeç dëmtimet traumatike dhe helmimet janë shkaqet kryesore.

Qarqet

Numri më i lartë i vdekjeve në raport me banorët u shënua në Gjirokastër, Korçë dhe Berat, që lidhet kryesisht dhe me popullsinë në plakje të këtyre qyteteve, ndërsa Tirana zuri vendin e fundit me më pak vdekje për 100 mijë banorë.

Për nga sëmundjet, banorët e qarkut të Beratit ishin ata që humbën jetën kryesisht prej atyre të qarkullimit të gjakut, ndërsa tumoret morën më së shumti jetën e banorëve të qarkut të Gjirokastrës dhe Korçës.

INSTAT përdori si burim të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe përshkrimin e përcaktuar nga skedat e vdekjeve të mjekëve.

Loading...