Transmetuar më 22-05-2020, 15:29

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi sot nga selia blu se opozita nuk e ka braktisur tryezën e reformës zgjedhore. “Ne nuk do ta braktisim reformën zgjedhore. Ne nuk jemi larguar asnjëherë që tani të rikthehemi dhe nuk e kemi braktisur, por situata e kërkonte të mos ishim pjesë e saj”, u shpreh Basha nga selia blu.

Kjo deklaratë e tij ka sjellë reagimin përshëndetës të Kryeministrit Edi Rama. “Kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e reformës zgjedhore një kthesë për t’u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus”, shkruan kreu i qeverisë.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, e ka përshëndetur një vendim të tillë. “Mirëpresim vendimin e Lulzim Bashës për t’u ulur në tryezë për reformën elektorale. Presim që liderët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë”, shkruan ambasadorja.

Edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca, përshëndet vendimin e Bashës. Ai thotë se "Mirëpresim vendimin e Lulzim Bashës për të rifilluar punën ndër-partiake për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik. Ajo shërben për interesin më të lartë të Shqipërisë dhe kontribuon për të përfunduar këtë reformë të rëndësishme pa vonesë, në mënyrë që të përmbushë kushtin e vendosur marsin e kaluar Komisioni Europian”, shkruan Soreca. /a.y/noa.al

Basha si Meta: Maska e Ramës ka rënë! Loja për të bllokuar reformën zgjedhore, doli zbuluar