Meta prezanton projekt-platformën e integrimit: Ia dorëzova Ramës që në fillim të prillit, ende pa përgjigje
Transmetuar më 22-05-2020, 12:24

Presidenti Ilir Meta i cilëson shokuese zhvillimet e fundit në vend, duke thënë se kanë tronditur mbarë opinionin europian dhe botëror dhe jo vetëm në vend , pas shembjes jo të vetëm Teatrit, por të iluzionit të ekzistencës së shtetit ligjor në Shqipëri.

Në një konferencë të sotme për mediat ai tha se ka bërë çdo përpjekje, jo vetëm për të menaxhuar sa më mirë si shtet, si vend, situatën e pandemisë, por edhe për të krijuar një klimë sa më pozitive, në mënyrë që të mos harrojmë provimin në qershor të Bashkimit Europian, sepse sipas tij, gjithnjë e më shumë na lënë detyra më shumë për të përmbushur, që të përmbushnim sa më shumë nga detyrat.

“Që më 8 prill, i kam nisur Kryeministrit Rama këtë projekt-platrformë, ambasadorëve të BE dhe gjithë atyre që janë të interesuar për rrugëtimin tonë të integrimit”, tha ai.

Presidenti deklaroi se lidhur me projekt-platformën nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Ai tha se propozimi vjen duke risjellë në vëmendje problemet serioze lidhur me zbatimin e duhur të reformës në drejtësi, dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë; Duke vërejtur me shqetësim të madh mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se dy vjet, e cila ka cenuar mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individëve dhe e ka lënë veprimtarinë qeveritare dhe parlamentare jashtë kontrollit kushtetues; Gjithashtu, mos funksionimi i Gjykatës së Lartë që ka çuar rritjen e konsiderueshme të stokut të çështjeve të pashqyrtuara (më shumë se 36.000), duke u mohuar qytetarëve aksesin në drejtësi, duke shkelur kështu të drejtat themelore të njeriut; Duke kujtuar pasojat e shkaktuara nga bllokimi politik i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite rresht, 2017-2018, dhe aktivitetin e dyshimtë të KED gjatë vitit 2019, veçanërisht nga Kryetari i KED 2019; Duke theksuar domosdoshmërinë imediate për një sistem gjyqësor plotësisht funksional dhe efikas; Duke vërejtur nivelin e papranueshëm të përfaqësimit në Parlamentin shqiptar, dhe përbërjen e tij në mospërputhje me dispozitat kushtetuese, (neni 64/1);

Duke kujtuar vlerësimin e pavarur dhe rekomandimet e mençura të Komisionit të Venecias, në draft Opinionin e tij të datës 6 mars 2020 dhe duke mirëpritur angazhimin e forcave politike në kuadrin e Këshillit Politik, si një mekanizëm i përshtatshëm për të çuar përpara reformën zgjedhore.

Sipas tij, të gjitha palët duhet të ndërveprojnë përmes një dialogu konstruktiv, të dakordësohen dhe të ndërmarrin veprimet e mëposhtme:

Pikat e projekt-platformës

1-Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.

2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.

5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.

6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.

7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.

8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.

9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.

11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.

13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.

14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. /a.y/noa.al

Loading...