Transmetuar më 22-05-2020, 11:06

Konfirmohen 12 persona të tjerë të prekur me koronavirus nga 174 testime të kryera në 24 orët e fundit.

Prej tyre 7 kanë rezultuar në Tiranë, 2 në Fier, 2 në Krujë dhe një në Durrës.

Ndërkohë në orët e fundit janë shëruar gjashtë persona.

Shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi se kurba epidemike ka paraqitur qëndrueshmëri gjatë dy javëve të fundit, por me luhatje ditore përkundrejt rasteve të raportuara dhe të identifikuara nga shërbimi epidemiologjik.

Pas një situate të qëndrueshme dhe të stabilizuar të rasteve që kanë kërkuar shërbim spitalor, sot ka një rritje të rasteve në spitalin infektiv. Aktualisht janë të shtruar 17 pacientë dhe 5 prej tyre janë në terapi intensive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 174 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar pozitivë 12 raste.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 981 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 173 persona aktivë me Covid-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 58; Durrës 48; Krujë 31; Shkodër 10; Berat 10; Kamëz 9; Fier 4; Elbasan 1; Mirditë 1 dhe Korçë 1.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1300 testime serologjike në personel shëndetësor dhe pacientë, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të Covid-19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me Covid-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40", tha Tomini.

COVID-19 – Statistika 22 Maj 2020

Testime totale 14259

Testime molekulare 12933

Testime serologjike 1326

Raste pozitive 981

Raste të shëruara 777

Raste Aktive 173

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)