Shfrytëzonte një vajzë për prostitutë, do e trafikonte drejt Belgjikës/ Kapet i rrezikshmi në Tiranë
Transmetuar më 22-05-2020, 10:58

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Waiting”, ka vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni.

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal të nisur në vitin 2019 dhe hetimeve disa mujore është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale dhe të ndalohet

Ardian Mukaj (alias Ardian Uka,) 39 vjeç, lindur në Rrëshen dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Trafikim të personave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion”.

39-vjeçari shfrytëzonte për prostitucion një 22-vjeçare dhe po përgatitej për ta trafikuar drejt Belgjikës, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, të dyshuarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, 1 aparat celular dhe një dokument i dyshuar i falsifikuar. Gjatë shoqërimit për në Komisariat, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.

Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasja M. M., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasit Ardian Mukaj (A. U.), si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetases M. M. /a.y/noa.al

Loading...