Basha takim me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë: Sfidë, lufta kundër monopoleve
Transmetuar më 21-05-2020, 14:24

Kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Sot pata kënaqësinë të pres përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham, z. Enio Jaco President i Bordit, Z. Alex MacFarlane Atasheu i Seksionit për Çështjet Politike & Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së, Z. Reshard Këlliçi Sekretar i Bordit dhe znj. Eni Xheko Anëtare e Bordit. Në qendër të diskutimit ishte kriza ekonomike dhe në veçanti domosdoshmëria për të përmirësuar klimën e biznesit, dhe tërheqjen e investimeve të huaja të cilat lidhen direkt me punësimin”, shkruan Basha.

Ai thotë se lufta kundër monopoleve dhe trajtimit të pandershëm të investitorëve në Shqipëri, lufta kundër korrupsionit dhe klientelizmit, sundimi i ligjit dhe siguria juridike, janë disa nga sfidat jetike para të cilave ndodhet vendi dhe ekonomia.

Basha bën me dije se në takim u diskutua edhe mbi pasojat e Covid-19 në ekonominë shqiptare.

“Aksesi në likuiditet, lehtësimi i barrës fiskale për bizneset dhe mbështetja ndaj tyre për të ruajtur vendet e punës, janë ndër kërkesat e kahershme të AmCham dhe çështje prioritare të platformës tonë. Partia Demokratike mbështet propozimet e bëra publike të Dhomës Amerikane të Tregtisë- AmCham drejtuar qeverisë shqiptare, duke i konsideruar ato të drejta dhe të duhura për t’i dhënë përgjigje sfidës së përballimit të pandemisë ekonomike dhe rivitalizimin e ekonomisë në të ardhmen”, thotë kryetari i PD.

Loading...