Transmetuar më 20-05-2020, 19:50

Kryetari i Partisë Demokratike tha pas protestës së artistëve se në ditët në vijim opozita do bëjë publike hapat e mëtejshëm për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të shkojnë të lirë në kutitë e votimit.

Lulzim Basha tha se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira për të larguar atë që e quan kriminel dhe hajdut, duke iu referuar Kryeministrit.

“Në vijim, PD dhe opozita do përvijojnë hapat e mëtejshmë me qëllim synimin për t’i dhënë shqiptarëve lirinë e votës.

Të realizohet një orë e më parë dhe t’u mësojmë atyre të drejtohen në kutitë e votimit për të shporrur një hajdut ordiner dhe kriminel”, tha Basha për mediat.

I pyetur nëse ka një propozim amerikan për sistemin zgjedhor, Basha tha.

“Nuk kam parë asnjë propozim amerikan për sistem zgjedhor. Ne jemi për lista të hapura dhe ndryshim sistemi dhe sistem dy dhomësh. Asgjë nuk do të ketë kuptim për sa kohë që kujdestarja e zgjedhjeve është hajduti i zgjedhjeve”.