Transmetuar më 20-05-2020, 13:26

Tre pjesëtarë të grupit “Barji” në Shkodër, janë liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së këtij rrethi.

Gjyqtari Besmir Stroka pushoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Asmer Bilalin, Ismet Idrizin dhe Samet Hallunin.

Po ashtu është shuar masa “arrest në burg” për Safet Bajrin, por ai do të qëndrojë në qeli për shkak të një vendimi të formës së prerë.

Bajri do të mbetet pas hekurave pasi Gjykata e Shkodrës ka njohur vendimin e drejtësisë belgë për dënimin me 9 vite burg si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në Bruksel.

Sakaq është zgjatur afati i paraburgimit për Behar Bajrin dhe Ilir Bajrin.

Zëvendësimi i masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, është bërë për Emrah Plakun dhe Jorida Muratin.

Më 22 shtator të vitit 2018, 11 persona u arrestuan në kuadër të Operacionit “OAZ” ndër të cilët edhe Safet dhe Enver Bajri.

Ata akuzohen për një sërë veprash penale si “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, të gjitha këto të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Grupi “Bajri” akuzohet për dy vrasje, njëra në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Si dhe për një kanosje ndaj disa shtetasve për të dhënë shumë parash. /a.y/noa.al