Transmetuar më 20-05-2020, 13:13

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, deklaroi se çështja e Teatrit Kombëtar po diskutohet prej 20 vitesh, duke thënë se këto diskutime duhet të zhvillohen në institucione.

“Për të gjithë ata që qajnë ditën e qeshin natën sikur iu dhëmb shpirti për Teatrin dua t’ju them se ish-godina ishte kazermë ushtarake për pushtuesit italianë dhe nuk na bënte nder në Tiranën e vitit 2020. Të gjithë e dinë se nëse do dëgjonim Saliun, Lana do ishte me kioska. Madje para 3-4 vitesh dilej me pistoleta kundër ndërtimit të këndit të lojërave, pastaj për stadiumin, për bulevardin. Këta këtë punë kanë”, u shpreh Balla.

Sipas tij, shqiptarët e dinë se Luli dhe Monika nuk e kanë hallin te teatri, duke ironizuar se “do kishin fjetur në teatër ata, por nuk e kanë aty hallin”.

Ai shtoi se demokracia është një nga gjetjet më të mira që ka gjetur njerëzimi dhe se në demokraci vendos shumica dhe pakica duhet të dëgjojë.

Balla tha se ditën e diel u ekzekutua një vendim ligjor.

“Në Gjykatën Kushtetuese ka një ankimim nga Presidenti për ligjin që ka kaluar në Kuvend që ka humbur efektivitetin se janë ezauruar hapat, kur bëhet fjalë për ligje që përcaktojnë afate terminimi i afateve bën nul ligjet”, tha Balla.