Transmetuar më 19-05-2020, 17:52

Shqipëria ka firmosur së bashku me shtetet e tjera për të hetuar veprimet dhe mosveprimet e OBSH mbi origjinën e koronavirusit dhe ecurinë e pandemisë. Deklarata e firmosur nga 100 shtete, është dërguar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila po zhvillon nga e hëna asamblenë online.

Për herë të parë mbledhja zhvillohet në këtë mënyrë dhe vëmendja po përqendrohet te ajo se si do të përgjigjet Kina ndaj këtyre kërkesave për hetim. Fillimisht presidenti Xi Jinping i ka cilësuar si të papërgjegjshme kërkesat e paraqitur fillimisht nga kryeministri i Australisë.

Shqipëria njoftoi se ajo mbështet nismën e Bashkimit Evropian, Australisë dhe Zelandës së Re, që përmes një rezolute të paraqitur në Asamblenë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë hetimin e këtij institucioni botëror për menaxhimin e gjendjes së pandemisë së Covid-19.

Prej kohësh Organizata Botërore e Shëndetësisë po ndeshet me pyetje për mënyrën se si e menaxhoi pandeminë, ndërsa disa herë është vendosur në qendër të akuzave se ka heshtur përballë mosveprimit të Kinës dhe fshehjes fillestare të përhapjes së virusit. Duke iu drejtuar asamblesë, presidenti kinez Xi Jinping, mbrojti veprimet e vendit të tij. Ai tha se Kina “ka vepruar e hapur dhe me transparencë” dhe këmbënguli se çdo hetim duhet të zhvillohet pasi pandemia të jetë vendosur nën kontroll. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e mirëpriti propozimin për rezolutën dhe tha se do të bashkëpunojë sapo të krijohen kushtet.

Rezoluta kërkon një hetim në burimin e virusit, që u emërtua si Sars-CoV-2, dhe rrugën e prezantimit të tij tek popullata njerëzore. Coronavirus, sëmundja që shkakton patogjeni, u zbulua për herë të parë në qytetin Wuhan të Kinës. Por Pekini, i cili është akuzuar se ka tentuar të fshehë sëmundjen në ditët e para të zbulimit të tij vitin e kaluar, herë pas here insiston që ajo mund të kishte origjinën diku tjetër. Më shumë se një zyrtar i ministrisë së jashtme kineze ka treguar për Shtetet e Bashkuara. Dyshimet ndaj OBSh-së kanë nxitur ndërkaq nismat e pavarura. Kështu Franca dhe Gjermania ranë dakord të hënën për krijimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për Rimëkëmbjen, fond i cili do t’u jepet vendeve europiane dhe rajoneve të goditura më rëndë nga pandemia.

Shtetet që firmosën peticionin

Shtetet e Bashkimit Europian, Shqipëria, Grupi i Shteteve Afrikane, Australia, Banglandeshi, Bjellorusia, Butani, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Xhibuti, Republika Domenikane, Ekuador, El Salvador, Guatemala, Guyana, Islanda, India, Indonezia, Japonia, Jordania, Kazakistan, Malajzia, Maldives, Meksika, Monako, Mali i Zi, Zelanda e Re, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Paraguaj, Peru, Katar, Koreja e Jugut, Moldavia, Federata Ruse, San Marino, Araba Saudite, Tunizia, Turqia, Ukraina, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.