Transmetuar më 19-05-2020, 10:30

Zbardhen detaje nga dosja e SPAK, për grupin e dyshuar që dërgonte persona me vizë false nga aeroporti i Rinasit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë.

Në kuadër të hetimeve dy vjeçare janë arrestuar 15 persona, ndërsa në “arrest shtëpie” janë lënë 7 të tjerë, teksa dy janë në detyrim paraqitje.

Në kuadër të hetimeve të deritanishme në procedimin penal Nr.174/2019 për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar, përkatësisht nga nenet 189, 298/3, 333/a e 334 të Kodit Penal dhe mbi dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova për rrethin e personave të përfshirë në veprimtari kriminale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave e vizave më shumë se një herë dhe të ndihmës në më shumë se një herë për hyrje të paligjshme të shtetasve shqiptarë në një shtet tjetër pa leje qëndrimi, për qëllime fitimi – mbi kërkesën e prokurorit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendim Nr.52 datë 16.05.2020 caktoi masa sigurimi personale ndaj disa shtetasve.

Në datë 18 maj 2020, policia gjyqësore ekzekutoi urdhërimin e prokurorit për caktim nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të masave të sigurimit “Arrest në burg”, për Bukurije Ahmetaj, Elvis Ahmetaj, Shkëlzen Avduli (Byberi, Gjoka, Popenga), Elvis alias Fatmir Qema, Klajdi Llika, Eduard Haxhiu, Altin Memaj, Blerim Çoka, Admir Spahia, Azem Tanushi, Xhelil Dautaj, Mark Gjinaj (Gjini), Juxhin Tirana, Ilir Ferati, Gëzim Gjona.

Ndërkohë “arrest shtëpie” u caktua për Besjan Mustafa, Behar Ismailaj, Arjan Koldashi, Arselda Memaj, Besnike Tufa, Ervilma Bezati dhe Gëzim Breza.

Në detyrim paraqitje u lanë Aida Cenaj dhe Drita Sadriaj.

Të dyshuarit se përmes pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal kanë kryer veprat penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave e vizave më shumë se një herë dhe kanë ndihmuar në më shumë se një herë për hyrje të paligjshme të shtetasve shqiptarë në një shtet tjetër pa leje qëndrimi, për qëllime fitimi.

Gjatë hetimeve të kryera është bashkëpunuar në vazhdimësi me strukturat e zbatimit të ligjit të disa shteteve dhe është arritur të identifikohen dhe provohen shumë raste të kapjes së shtetasve shqiptar, në territoret e shteteve të huaja, në udhëtim drejt SHBA, Kanada dhe Mbretëria e Bashkuar, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, të realizuara nga aktiviteti kriminal e shtetasve të mësipërm. /a.y/noa.al