Transmetuar më 19-05-2020, 08:09

Kryeministri Edi Rama kujton kohën kur ishte ministër i Kulturës, teksa ndalet në vizitën e ditës së djeshme për të inspektuar punimet në Teatrin e Operas dhe Baletit, teksa nuk lë pa përmendur Teatrin Kombëtar.

“Dje, duke vizituar kantierin e Teatrit të ri të Operas dhe Baletit, ku po përfundon një transformim fantastik brenda asaj hapësire deri dje të degraduar që turpëronte Shqipërinë e shtetin e saj, m’u kujtua që 21 vjet më parë, tamam në të njëjtin vend mbi skenë, nisi beteja publike për reformimin e sistemit teatror shqiptar dhe rindërtimin me themel të skenës kombëtare e të vetë Teatrit Kombëtar…”, shkruan Rama.

Ai shton se sa shumë energji të harxhuara e vite të humbura kot për komunitetit tonë teatror, që qysh atëherë kaloi edhe 20 vjet të tjera në kushtet e një mizerjeje pa të dytë në Europë dhe sa keq për publikun artdashës, që nuk pati dot kurrë mundësinë të shijonte artet skenike në kushte dinjitoze as në TKOB e as në Teatrin Kombëtar.

“Sa keq që tërë ato yje të skenës sonë kombëtare u shuan, pa punuar dot një ditë në një skenë normale dhe një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje në kushte normale”, thotë kreu i qeverisë.

Rama nënvizon se skenat e reja kombëtare, ajo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t’i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si “tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot”, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet. /a.y/noa.al