Transmetuar më 18-05-2020, 11:04

Në 24 orët e fundit është shënuar numri më i ulët i infektimeve qysh nga nisja e pandemisë së koronavirusit.

Shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, deklaroi se në orët e fundit nga 168 testime të kryera, u konfirmuan vetëm 2 raste pozitive në Durrës dhe 12 qytetarë të shëruar.

Tomini tha se në vend vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë.

Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.

Po ashtu bëri me dije se deri më sot janë kryer mbi 12.500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 69; Krujë 44; Durrës 31; Shkodër 15; Kamëz 12; Berat 10; Fier 4; Elbasan 2; Kurbin 1; Mirditë 1 dhe Korçë 1.

Gjendja në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të përgjegjshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, ndërsa bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte.

“Qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, tha Tomini.

COVID-19- Statistika 18 Maj 2020

Testime totale 12722

Raste pozitive 948

Raste të shëruara 727

Raste Aktive 190

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1) /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd