Transmetuar më 18-05-2020, 10:06

Përplasjet dhe tensionet për shembjen e Teatrit Kombëtar gjatë mëngjesit të së dielës, janë pasuar me 64 persona të shoqëruar dhe 7 të arrestuar.

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit thotë se qysh prej orëve të para të mëngjesit të datës 17 maj 2020, me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Teritorit i Bashkisë Tiranë, uniformat blu vijojnë të jenë në mbështetje të aksionit për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij.

Në deklaratë thuhet se gjatë kryerjes së detyrës, forcat e policisë janë kundërshtuar me dhunë nga persona që ishin grumbulluar për të mos lejuar prishjen e godinës, duke tentuar që të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

Disa persona nga radhët e tubuesve kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta dhe shkopinj, duke lënduar 7 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së posaçme “Shqiponja”. Ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Traumës dhe spitalin “Nënë Tereza” dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e policisë kanë shoqëruar në ambientet e policisë 64 persona, për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë.

Në përfundim të veprimeve të kryera, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 3, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 7 persona Bojken Abazi, 38 vjeç; Kastriot Qemaj, 37 vjeç; Sokol Ndoj, 35 vjeç; Romeo Lila, 35 vjeç; Endrit Mërtiri, 33 vjeç, Burim Tafilica, 30 vjeç dhe Edjon Xhoxhaj, 33 vjeç.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 21 persona.

Për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u mor masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave të veçanta kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Policia e Shtetit apelon për organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, se grumbullime të tilla janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Aktin normativ duke u shndërruar në një rrezik potencial për përhapjen e infeksionit COIVD-19, pasi Tirana është ende një zonë e kuqe në hartën epidemiologjike të vendit. /a.y/noa.al