Transmetuar më 18-05-2020, 08:18

Ndahet nga jeta para kohe ish-ministri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli, në periudhën e Partisë Demokratike.

Ndarja e tij nga jetë ndodh në moshën 68-vjeçare, si pasojë e komplikimeve shëndetësore.

Në fushën e shëndetësisë ai njihet si themelues i gjenetikës shqiptare me një kontribut të veçantë si pedagog për të.

Në vitin 1974 mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Për sa i takon formimit të mëtejshëm profesional në vitet 1981-1984 ka kryer specializimin pasuniversitar në Francë në Universitetin “Paris V”. Zotëron tre gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht, italisht dhe shfrytëzon gjerësisht literaturën në këto gjuhë.

Në vitet 1974-1979 ka punuar si mjek i përgjithshëm ne Minierën e Bakrit të Gjegjanit. Në 1979-1981 ka qenë pedagog i sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë. Nga viti 1984 e në vazhdim është pedagog në lëndën e Gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë.

Për sa i takon karrierës pedagogjike dhe shkencore, në vitin 1986 ka qenë kandidat i Shkencave Mjekësore. Në vitin 1989 ka mbrojtur titullin docent në fushën mjekësore dhe në 1994-ën profesor në këtë fushë.

Gjatë periudhës 1992-1994 ka qenë shef shërbimi në Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në vitin 1993-1994 ka qenë drejtor i QSUT “Nënë Tereza”. Nga viti 2001 e në vazhdim Shef i Departamentit të Pediatrisë.

Është autor i disa teksteve për studentë dhe pasuniversitarë dhe autor i dhjetëra artikujve shkencorë mjekësorë në shtypin shqiptar dhe të huaj.

Në karrierën politike, nga viti 1994 e në vazhdim është anëtar i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike. Në vitet 1994-1997, 1997-2000 dhe nga viti 2005 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Në periudhën 1994-1997 ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit. Në vitet 1996-2001 ka qenë deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura.

Prej viteve 1994 ai ishte pjesë e forumeve të PD derisa në periudhën 1994- 1997 u vendos ministër i Shëndetësisë. Gjithashtu ai ka qenë deputet në dy legjislatura nën siglën e PD, në 1996 dhe 2001. /a.y/noa.al