Transmetuar më 18-05-2020, 08:08

Një ditë pas shembjes së bujshme të godinës së Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama, e nis ditën me pamjet e projekt-idenë e Teatrit të Ri Kombëtar, konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels.

“Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje…”, shkruan Rama.

Ai thotë se përvoja ka mësuar se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetëra e dhjetëra vite,

do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt.

“Shqipëria që duam. Tirana që duam”, thotë në mbyllje kreu i qeverisë. /a.y/noa.al