
Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike me strukturat, ndersa kreu i saj Lulzim Basha dha një deklaratë për mediat ku theksoi se ditën e nesërme do të jetë në protestë për të mbështetur Aleancën për Teatrin.
Basha gjithashtu bëri thirrje qytetarëve që ti bashkohen protestës së thirrur ditën e nesërme në orën 16:30
“Në mbledhjen e sotme janë ndarë detyrat për tu angazhuar dhe për ti bërë thirrje cdo qytetari ndesër në orën 16.30. Protesta e nesërme jo vetëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kundër këtij regjimi por edhe një protestë për demokracinë për të drejtat e qytetarëve. Të rikthehemi tek vlerat elementare të demokracisë. Nesër do të jemi në mbështetje të Aleancës për Teatrin për shporrjen e këtij hajduti dhe krimineli. Dua të përsëris angazhimin zyrtar që opozita ka ndërmarrë me firmën time për rindërtimin e teatrit kombëtar, për ndërtimin e plotë të Teatrit kombëtar siç ishte e konceptuar në kuadër të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Tiranës, natyrisht me modernizimin e nevojshëm në brendësi. Ky është një zotim të cilin unë personalisht dhe koalicioni do e bëjmë realitet nesër në qeverisje të vendit. Dua të përsëris vendosmërinë time për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që u përfshinë në këtë krim makabër”, tha Basha.
Po ashtu edhe mbledhja urgjente e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim sapo ka përfunduar.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka mbajtur një deklaratë për mediat ku ka bere thirrje për të marrë pjesë masivisht në protestën e thirrur nesër nga Aleanca për Teatrin, të gjithë qytetarët.
Regjisori Robert Budina njoftoi pasditen e sotme para mediave protestën që do të mbahet ditën e nesërme e cila do të zhvillohet në orën 16:30 para ministrisë së Brendshme.
Sipas tij shembja mund të ndodhë edhe në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve nëse nuk reagohet.
Ai shprehet se nuk do të merret leje për protestën e ditës së nesërme.
“Nesër në orën 16:30 aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thërret në protestë gjithë popullin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Kjo protestë bëhet sepse gjatë natës së kaluar filluan shembjen e Teatrit ndërkohë që ne ishim brenda, dhe kjo mund të vijojë në çdo shtëpi tuajën. Protesta do të bëhet përballë ministrisë së brendshme sepse ata tentuan të na vrasin. Ne kemi ndërprerë çdo lidhje me qeverinë shqiptare, nuk kemi ndërmend të kërkojmë askujt leje. Kemi lënë gjërat që kishim me vete mbrëmë, i kërkuam drejtuesit të policisë dhe nuk na lejoi. Asnjë leje nuk do të kërkojmë. Mua më kanë kapur brenda godinës, më kanë shkelur me këmbë, na ndoqën, na sollën me dhunë meqë ishte errësirë. Një zonjë e shkelën me këmbë. Kundër kësaj tentative për vrasje ne thërrasim gjithë popullin që të mos i lejojmë”, tha Budina./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





