Transmetuar më 17-05-2020, 19:12

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca në një intervistë në ABC News me gazetaren Mirela Milori deklaroi se prishja e Teatrit Kombëtar ditën e sotme është në kundërshtim me ligjin aq më tepër që është bërë në një kohë të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë.

Sipas Ballancës ky episod ka shkaktuar grumbullime të njerëzve dhe të policisë në kundërshtim me rregullat e distancimit social.

Përveç shkeljes së rregullave të distancimit social nga ana e autoriteteve Ballanca tha se IMT ka vepruar në një kohë kur nuk është e lejuar ndërhyrja aq më tepër kur bëhet fjalë për situatën në të cilën ndodhemi.

Ballanca sqaroi se IMT mund të vepronte ligjërisht në këtë periudhë vetëm me një autorizim të lëshuar nga Komiteti i Ekspertëve i cili e ka dhënë  për shkak të përligjur nga situata epidemike.

“Kemi parë një numër të madh policësh dhe një grumbullim të madh të tyre dhe të gjithë nuk kanë respektuar asnjë rregull të distancimit social, gjë për të cilën përgjegjësit dhe eprorët e tyre duhet të jenë përgjegjës përpara ligjit. Distancimi social ka qenë i detyruar për të gjithë qytetarët. Një grumbullim i tillë me këtë numër kaq të madh personash në të njëjtin vend për shembjen e qytetit është një rrezik i madh.

E vetmja që IMT të ndërmerrte një akt të tillë në këtë kohë, në këtë periudhë në këtë mënyrë do të ishte një autorizim i posacëm nga komiteti i ekspertëve sepse kemi dy muaj tashmë që dëgjojmë se është ky komitet që vendos rregullat e distancimit social.

A ka parë ndonjë vendim nga Komiteti i Ekspertëve që thotë se rregullat janë vetëm për qytetarët dhe jo për IMT?

Nuk e mendoj dot që IMT ka vepruar pa autorizim dhe nëse ka ndodhur atëherë jemi në shkelje të Kodit Penal i cili duhet të veprojë. IMT nuk mund të ndërhyje përpara orës 8 të mëngjesit, ka një fashë e cila është e mbrojtur.

Nga personat që kemi marrë kontakt nuk kemi patur asnjë referim nga ana e asnjë personi që brenda komisariatit të jetë ushtruar dhunë. Brenda tyre masat e pastërtisë lënë shumë për të dëshiruar por nga ana tjetër xhel dezinfektant nuk kishte gjëkundi. Të gjitha këto janë pjesë e një hetimi që ne jemi duke kryer. Unë pres që qytetarët dhe institucionet e shteti duhet të maten me të njëjtin kut, këto janë të drejtat e njeriut”, tha Ballanca.