
Në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, u arrestuan dy inspektorë të pyjeve në Njësinë Administrative Ishëm, si dhe procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kuraten.
Efektivët e policisë Durrës, në vijim të kontrollit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit në territorin e fshatit Kuraten, kanë konstatuar një sipërfaqe të shpyllëzuar dhe kanë gjetur rreth 100 fidanë kanabis gati për kultivim në këtë sipërfaqe të shpyllëzuar.
Në vijim të veprimeve të kryera u bë arrestimi në flagrancë i R. S., dhe S. D., banues në Ishëm, me detyrë inspektor pyjesh në Njësinë Administrative Ishëm.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kuraten, shtetasi U. D.
Të dyshuarit nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e zonës, pasi nuk kanë konstatuar dëmtimin e pyllit, hapjen e tokës dhe fidanët narkotikë që do kultivoheshin në këtë sipërfaqe.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzim i krimit”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





