
Nga 306 testime të kryera në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 17 persona të tjerë të infektuar me koronavirus.
Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja, sqaroi se 8 raste janë në Tiranë, 8 në Durrës dhe një në Krujë, kontakte të personave të prekur më herët.
Ndërsa të shëruar në 24 orët e fundit janë 9 qytetarë.
“Rastet e reja të rritura për të tretën ditë radhazi tregojnë qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë”, tha Daja.
Deri më sot janë kryer mbi 12 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 933 qytetarë. Prej tyre, 77% tashmë janë të shëruar.
Aktualisht janë 188 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Durrës, Kamëz, Berat.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 78; Krujë 46; Durrës 17; Shkodër 15; Kamëz 12; Berat 10; Fier 5; Elbasan 2; Kurbin 1; Mirditë 1 dhe Korçë 1.
Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të përgjegjshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, ndërsa bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte.
“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, deklaroi Daja.
COVID-19- Statistika 16 Maj 2020
Testime totale 12294
Testime molekulare 11764
Testime serologjike 530
Raste pozitive 933
Raste të shëruara 714
Raste Aktive 188
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1) /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





