
Operacioni Forca e Ligjit iu dërgon formularin e vetëdeklarimit katër personave me të shkuar kriminale, duke iu kërkuar të provojnë pasurinë e tyre.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, katër të dyshuarve.
Formulari i është dorëzuar Erion Llapushit, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim;
Arben Pilincit, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”;
Theodhor Dhamo, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
Vangjel Zguri, banues në Korçë pasi Gjykata e Lartë Tiranë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL thotë se është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





