
Në seancën e sotme parlamentare, deputeti i opozitës së re Ralf Gjoni, kërkoi që në tryezën e reformës zgjedhore të miratohen listat e hapura, ose në të kundërt opozita duhet të largohet prej saj.
Ai tha se çdo shqiptar i ndershëm i pavarur që nuk i përket komunitetit të lëpirësave, ka një pyetje se pse ka frikë Edi Rama nga listat e hapura.
“Përse propozimi im për ndryshimin e sistemit nuk është futur për trajtim por trajtohet nga Gjiknuri me një fjali, që propozimet e opozitës do të shikohen nga ekspertët nëse përputhen me Kushtetutën. Hapja e listave nuk kërkon ndryshim kushtetute, nëse ndryshimi i sistemit kërkon ndryshim kushtetute hajde flasim. E keni kthyer Kushtetutën si prostitutat e Amsterdamit. Nuk e duam për vete por për shqiptarët, a mendoni se ju Gramoz Ruci keni frikë nga listat e hapura? Nuk e besoj. Ka frikë Majko? Nuk e besoj? Zoti kryetar ka ardhur momenti të flasim hapur, apo Elisa Spiropali? Fare, fare, fare (qesh) e kam shumë sinqerisht. Ka frikë Rudina Hajdari frikë, apo unë? Jo! Fare”, u shpreh Gjoni.
Ai tha se ka shumë socialistë që na e pranojnë se duan listat e hapura dhe janë gati të garojnë më këtë sistem.
Por Gjoni pyeti se pse Edi Rama i shkel syrin Berishës, duke shtuar se Shqipëria nuk ka nevojë për reformën elektorale por reformim të sistemit.
“PS-ja është në krevat me PD-në, ata të LSI-së nuk i kuptoj se pse kanë çuar Vasilin që duket si nuse fshati. Më e fortë duket Rudina Hajdari. Nëse ata vazhdojnë të luajnë lojëra, prania jonë në atë këshill duhet të futet në diskutim, nuk kemi nevojë të bëhemi nevojë e tresheve të tyre në krevat për të mbajtur pishtarin. Do të diskreditoj çdo lapanjoz që do të votojë atë reformë, do i denoncoj te SPAK-u, që ta provojë se nuk fle gjumë si Lul Basha”, paralajmëroi Ralf Gjoni. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





