Transmetuar më 13-05-2020, 14:16

Ka zgjatur afro tre orë tryeza e sotme Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore. Bashkëkryetari i komisionit, socialisti Damian Gjiknuri deklaroi se u konstatua që bazuar në të gjitha propozimet duhet të ndryshohet Kushtetuta.

“Kjo do të kërkojë kohë. Disa palë duan Kod Zgjedhor me kompromis për të ndryshuar sistemin zgjedhor, ndërsa Partia Socialiste ka pikëpamjet e saj. Duke qenë në pushtet, duket sikur çdo palë ka interesin. Ndoshta është momenti që Shqipëria të mos ketë më koalicione zgjedhore. S’dua të paragjykoj, debati është i hapur. Sistemi është në tavolinë, palëve iu takon të shprehen”, u shpreh Gjiknuri.

Ai tha se deklaratat politike, nuk mund të përdoren si sebepe për të ikur nga tavolina dhe se negociatorët nuk kanë pse të jenë në presionin e deklaratave politike.

“Jemi parti politike, por kemi mandat të plotë për të negociuar, duhet të punojmë. Ka një formë tjetër, e ka thënë edhe Rama nëse për çështje serioze, Rama e ka thënë se është gati të ulet me Bashën në tavolinë. Ne vendosëm që ekspertët të vijojnë punën që nesër. Besoj që mbledhja e radhës do të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00”, tha ndër të tjera përfaqësuesi socialist.

Nga ana tjetër bashkëkryetarja e komisionit, përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari me tone të ashpra tha se kryetarët kanë 30 vite në pushtet ulen në tryeza për të ndarë hesapet.

Ajo deklaroi se është kthyer në Shqipëri për të forcuar lirinë dhe demokracinë, por se nuk ka gjetur liri pasi shtoi se kur shprehu mendimin në kuvend u quajta tradhtare.

“Shqiptarët e duan këtë betejë, ndaj i ftoj të më bashkohen, ndryshe do ngeleni në duart e tyre që duan interesin e tyre, ata i kanë gjërat e tyre në rregulloj por i harrojnë shqiptarët, çdo grua, nënë student që s’ka shpresë të më bashkohet në këtë betejë për të ndryshuar sistemin zgjedhore, momenti është tani të dashur shqiptarë, po bëjmë një reformë zgjedhore. Sa herë që flitet për ndryshimin e sistemit zgjedhor, këta i shkelin syrin njëri-tjetrit dhe i bëjnë bisht. Për sa kohë që janë listat e deputetëve, këta e kanë kryer misionin e tyre. Dhe merren me diskutime që s’kanë interes për qytetarët shqiptar. Unë kam ardhur në Shqipëri vetëm për të forcuar dy parimet, lirinë dhe demokracinë”, deklaroi Hajdari /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd