Transmetuar më 13-05-2020, 11:16

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Bankieri” ka vënë në pranga drejtorin e një banke, i cili akuzohet se duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur një shumë të madhe parash në llogarinë rrjedhëse të një klienti.

Nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si rezultat i një hetimi disamujor është bërë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Bankieri”, në kuadër të cilit u bë kapja dhe ndalimi i Florant Nako, 35 vjeç, banues në Tiranë.

35-vjeçari dyshohet se duke shfrytëzuar pozicionin e tij si drejtor i një filiali të një banke të nivelit të dytë, ka vjedhur në llogarinë rrjedhëse të një klienti, një shumë prej 30.000 dollarësh amerikanë.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd