
Operacioni Forca e Ligjit iu dërgon formularin e vetëdeklarimit të pasurisë, katër shkodranëve, njëri prej tyre aktualisht në burg.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, Muhamed Lici, banues në Shkodër, i cili aktualisht është i paraburgosur në burgun e Shkodrës dhe vëllait të tij Ibrahim Lici.
Krahas tyre formulari i është dërguar edhe Bledar Cafit, i arrestuar në Francë për trafik droge dhe Gëzim Cafit, banues në Shkodër.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





