Transmetuar më 12-05-2020, 13:59
Dionis Imeraj

Partia Demokratike e Dibrës padit kryebashkiakun Dionis Imeraj, duke e akuzuar për tendera të paligjshëm në kohën e pandemisë së koronavirusi.

Kryedemokrati i Dibrës, Naim Gazidede deklaroi se PD dega Dibër më 4 maj, ka denoncuar në Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe KLSH për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, kryetarin e pazgjedhur të Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dhe personat e tjerë përgjegjës për zhvillimin e tenderit me objekt “Ndërtim i Linjës së Furnizimit me ujë të pijshëm Gurra e Epërme-Luzni-Peshkopi”

Në deklaratë thuhet se Partia Demokratike as ka qenë dhe as është kundër investimeve publike të bashkisë Dibër, por se situata e sotme ekonomike shumë e rëndë, shkaktuar nga pandemia Covid-19 dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore që çoi në shkatërrim të ekonomive të dobëta familjare, që çoi në rrezikun e falimentimit të biznesit, ku numri i të papunëve rritet çdo dite, kjo situatë duhet të diktonte një vëmendje të shtuar të Bashkisë, ku prioritet i prioriteteve do të ishte ndihma, përkrahja, mbështetja për familjet në nevojë, bizneset, fermerët, blegtoret etj.

Gazidede tha se për fatin e keq vëmendja e kryetarit të Bashkisë dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte përqendruar në prokurimin e Ndërtimit të Ujësjellësit të sipërpërmendur në paligjeshmëri të plotë, duke sfiduar jo vetëm situatën e krijuar nga pandemia, por edhe Agjencinë e Prokurimit Publik, e cila, në mbështetje të nenit 13 të Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, sjell në vëmendje si më poshtë vijon:

“Autoritetet kontraktore duhet të vijojnë procesin e prokurimit vetëm për ato procedura prokurimi që lidhen ngushtësisht me mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19 dhe që konsiderohen të domosdoshme.

Në kuptim të sa më sipër, autoritetet kontraktore të pezullojnë të gjitha procedurat e prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për objekte prokurimi, të cilat nuk lidhen ngushtësisht me këtë situatë. Gjithashtu, të pezullohen edhe ato procedura prokurimi që janë në proces, objektet e të cilave nuk lidhen me situatën e shkaktuar nga pandemia.”

Kryedemokrati i Dibrës shton më tej se në këto kushte, Bashkia duhet të merrte në konsideratë udhëzimet e APP-se dhe duhet të pezullonte menjëherë procedurat e tenderimit.

Sipas tij, me këto veprime, kryebashkiaku i Dibrës, duke zhvilluar tenderin me datë 04.05.2020 ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”.

“Ndaj kemi kërkuar nga SPAK dhe KLSH të nisin sa më shpejtë hetimet dhe të ndalojnë vjedhjet dhe babëzitë me tenderat publikë. Me regjistrimin penal të kësaj çështje nga SPAK, ne kërkojmë që drejtësia të jetë e shpejtë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ata që e kanë mendjen tek vjedhjet, kur dibranët dhe shqiptarët janë pa mbështetje dhe gjendja po përkeqësohet”, tha në mbyllje Gazidede. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd