

Dita e sotme shënon pozitivitetin më të ulët të testimeve ditore, qysh nga nisja e emergjencës së koronavirusit.
Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja, e cila tha se në 24 orët e fundit janë kryer 243 testime dhe prej tyre janë konfirmuar vetëm 4 raste të reja infektimesh.
Prej tyre dy janë konfirmuar në Krujë, një në Tiranë dhe një në Berat, ndërsa në orët e fundit janë 28 persona të shëruar.
Që nga fillimi epidemisë, sot shënohet dita me pozitivitetin më të ulët në vend, ndaj totalit të testimeve ditore, me vetëm 1.64 %.
Në total qysh nga nisja e pandemisë janë konfirmuar pozitiv 876 qytetarë, 682 të shëruar ose 78% e gjithë personave të prekur.
Aktualisht janë 163 persona aktiv, ku shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 70; Krujë 51; Shkodër 16; Kamëz 12; Fier 5; Kurbin 3; Elbasan 2; Mirditë 1; Berat 1; Durrës 1 dhe Korçë 1.
“Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 24 pacientë dhe vetëm 1 prej tyre është në terapi intensive. Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes. Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11332 testime, nga të cilat, 10802 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike”, deklaroi Daja.
Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.
Statistika 12 maj 2020
Testime totale 11332
Testime molekulare 10802
Testime serologjike 530
Raste pozitive 876
Raste të shëruara 682
Raste Aktive 163
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1) /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





