Transmetuar më 11-05-2020, 15:34

Pas denoncimit se kompania e pastrimit të Rrogozhinës derdhte mbetjet në lumin Shkumbin, vjen reagimi për të, vetëm pak ditë pasi Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit ka marrë kompetencat për kontrollin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Përgjatë këtyre kontrolleve janë konstatuar hedhje të mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin.

Për pastrimin e qytetit të Rrogozhinës është kontraktuar firma “Viola-Green SHPK”. Pikërisht ky subjekt, u konstatua se mbetjet i depozitonte në lumin Shkumbin.

IKMT mori masë administrative, gjobë, si dhe njoftoi bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.

Nisur nga ky rast, IKMT u bën thirrje gjithë bashkive të vlerësojnë si prioritet mbrojtjen e mjedisit përgjatë kryerjes së punëve publike.

Veç masave administrative, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hetim penal për këtë rast, si dhe në çdo rast tjetër që lidhet me krimet mjedisore.

Bëhet me dije se IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd