Transmetuar më 10-05-2020, 11:05

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thotë se është e hapur për për organet e drejtësisë.

Reagimi vjen në vijim të një artikulli të botuar sot në media, ku thuhet se SPAK të premten ka ridërguar sërish një shkresë në ministrinë e shëndetësisë për marrje informacioni për tenderat sekret.

“Informojmë qytetarët se në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më datë 8 Maj 2020 është firmosur shkresa përcjellëse (faksimile bashkëlidhur) me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë”, shkruhet në reagim.

Në reagim thuhet më tej se "stafi i ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK".

“Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19.

Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK.

Ministria e Shëndetësisë shpreh edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim me organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë”./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd