
Kryeministri Edi Rama zbuloi emrin e kryenegociatorit shqiptar në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, në konferencën e përbashkët me ambasadorin europian Luigi Soreca, në ditën e Europës.
Gjithçka teksa tha se Shqipëria po përgatitet për negociatat e anëtarësimit.
“Të gjithë duan integrimin e Shqipërisë në BE. Kemi ngritur edhe grupin negociator. Është momenti për ta thënë të emrin të kryenegociatorit, një personalitet pa të sharë, edhe pse nuk ka hezituar të kritikojë edhe qeverinë tonë, kjo është një arsye më shumë për ta përfshirë në këtë proces. Një personalitet i diplomacisë shqiptare, i gjithëpranuar për dijen dhe aftësitë e tij, qoftë kur ka kryer misione, qoftë kur ka kryer detyra të rëndësishme, ambasadori Zef Mazi. Ai do të jetë kryenegociatori. Shpresoj me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare dhe Presidentin të japim të gjithë një kontribut”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se tani që kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare, plani i punës është i detajuar dhe duhet të vazhduar të konsultohet hap pas hapi.
Sipas tij, këtu duhen të gjithë aktorët, edhe pse qeveria mban peshën kryesore.
Në këtë drejtim Rama u shpreh i gatshëm për të takuar Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha.
“Ne jemi gati për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin, kryetarin e opozitës dhe të gjithë aktorët e tjerë përfaqësues të institucioneve të pavarura, të drejtësisë, Në një tryezë ku të shprehim vullnetin e përbashkët, secili të bëjë detyrat e veta, jo për t’u imponuar të tjerëve që të bëjnë detyrat e tyre, por për një mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, që deri më sot nuk më rezulton se ka një mendje tjetër”, tha Rama.
Lidhur me situatën e koronavirusit, ai tha se jemi të rrezikuar nga injoranca, papërgjeshmëria dhe mungesa e durimit, nga teoritë se virusi është komplot ndërkombëtar dhe grip i zakonshëm.
“Ne nuk do të mbyllemi nga frika, por duhet të shmangim rimbylljen nga papërgjegjshmëria dhe injoranca”, deklaroi Rama.
Kush është Zef Mazi
Zef Mazi ka lindur më 27 janar 1956, në Tiranë. Ai është ish-diplomat shqiptar i karrierës i cili, që nga viti 2011, shërben si Asistent Special për Strategjinë e Drejtorit të Përgjithshëm te Agjencinë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Në këtë funksion ai ka qenë i ngarkuar për formulimin, planifikimin dhe zbatimin e strategjisë për të gjithë Agjencinë, si dhe për menaxhimin e risqeve dhe të dijeve.
Ndërkohë Mazi ka qenë Ambasador i Republikës të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe në Republikën e Irlandës (2007-2011). Para kësaj, Zef Mazi ka qenë Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEA), në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë (OSBE), në Organizatën për Zhvillimin Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO), në Organizatën për Ndalimin e Plotë të Provave Bërthamore (1992-1997 dhe 2002-2007, respektivisht). Ai ka qenë kryetar i Forumit për Bashkëpunim për çështjet e Sigurisë së OSBE (2003), dhe ka shërbyer edhe në Sekretariatin e OSBE-së dhe të ANEA-s (1998-2002).
Zef Mazi ka qenë kryetar në Detyrë Misioni në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Austri dhe në Konfederatën Zvicerane (1991-1992). Para kësaj, ai ka shërbyer në Departamentin e Bashkëpunimit Shumëpalësh të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, i ngarkuar për KSBE-në, si dhe anëtar i delegacionit të përhershëm të Shqipërisë në negociatat për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë (1989-1991).
Zef Mazi ka shërbyer edhe si shef i zyrës së marrëdhënieve me jashtë të Drejtorisë së Përgjithshme të PTT-së (1987-1989), si dhe përkthyes/editor në Shtëpi Botuese dhe, në të njëjtën kohë, lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës (1978-1988) dhe folës ne Radio Tirana Shërbimi në gjuhë të huaja (1975-1985).
Zef Mazi ka qenë kandidat për president në zgjedhjet presidenciale në Shqipëri (2002), si dhe kandidati zyrtar i Shqipërisë për postin e Sekretariat të Përgjithshëm të OSBE-se (2005)./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






