Transmetuar më 09-05-2020, 12:54

Presidenti Ilir Meta reagon për të dytën herë lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, të cilin qeveria ia kaloi Bashkisë Tiranë, duke paralajmëruar tjetër padi në Gjykatën Kushtetuese, nëse nuk ka reflektim.

Meta thotë se pasi u njoh me përmbajtjen e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.377, datë 8 maj 2020, botuar me urgjencë në Fletoren Zyrtare nr.83, datë 8 maj 2020, përcjell me forcë këtë mesazh drejtuar autoriteteve shqiptare.

“Çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar. Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar”, shprehet Meta.

Ai thotë se vijimi i kësaj veprimtarie shtetërore për prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar në këtë moment, do të dëmtonte rëndë imazhin dhe kredencialet e vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe familjen europiane, sidomos në kushtet kur objekti i Teatrit Kombëtar në datën 24 mars 2020 është listuar në objektet e trashëgimisë europiane, duke shënuar kështu udhëtimin europian të kësaj qendre të kulturës shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar.

Presidenti deklaron se organizata Europa Nostra e mbështetur nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian e ka vlerësuar këtë godinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo veprimi mbi të nga institucionet shqiptare.

“Ti kundërvihesh një mbështetje të Bashkimit Europian në Ditën e Europës, është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vlerave për të cilat kemi 30 vjet që përpiqemi të përqafojmë”, deklaron Presidenti.

Sipas tij, çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të.

“Mbetem shpresëplotë në një reflektim që na bashkon në këto kohë të vështira që po kalon vendi”, thotë në mbyllje kreu i shtetit. /a.y/noa.al

Kalimi i Teatrit në pronësi të Bashkisë, Meta: Cenohen parimet kushtetuese, procedurë "ekstra ligjore"

AMT reagon për VKM e Ramës që ia la Teatrin Veliajt: Është pasuri evropiane

Rama kalon tokën në pronësi të bashkisë, ia lë Veliajt shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd