Transmetuar më 09-05-2020, 12:30

Kryedemokrati Lulzim Basha, akuzon qeverinë se edhe në kohë pandemie ka favorizuar oligarkët.

Në një konferencë për mediat mesditën e sotme, ai tha se pandemia ekonomike po i zë vendin pandemisë së Covid-19.

“Pavarësisht se këto dy muaj ishin të gjatë, edhe para pandmemisë shqiptarët ishin të varfër por sjellja e Ramës po i bën edhe me të varfër dhe po e çon vendin në krizë më të thellë ekonomike. Shqipëria ka bërë hapa pas krahasuar me vendet e rajonit. Para pak vitesh Shqipëria dhe Serbia kishin borxhin publik 70%. Sot Shqipëria ka një borxh të lartë prej 84% , ndërsa Serbia e ka ulur në 54.6%”, u shpreh Basha.

Ai tha se këto 7 vite taksat e shqiptarëve nuk kanë shkuar në ekonomi, për të mbështetur eksportet, investimet e huaja por për një grup oligarkësh që i kanë marrë oksigjenin ekonomisë në këtë kohë pandemie.

“Deri dje thesari i shtetit shënonte 13.7 milionë euro për paketën e parë dhe 27.8 milionë euro për paketën e dytë. 41, 5 milion euro. Kaq është shuma që Rama dha për 3 milion shqiptarë, dhe për bizneset që po vuajnë. Me TVSH, shuma që u dedikua për projektin e Unazës së madhe është më e madhe se shuma që ka dhënë për shqiptarët. Kjo vjen për një arsye të thjeshtë. Qeveria Rama nuk ka hequr dorë nga interesi i oligarkëve mbi interesin e 3 milion shqiptarëve. 5 veta marrin frymë ekonomikisht që mbushin xhepat e Edi Ramës që kryejnë koncesione dhe PPP, asnjë financim për ekonominë”, tha ndër të tjera lideri i opozitës.

Ai komentoi edhe kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë Tiranë, ku tha se në kulmin e kësaj krize, mbrëmë brenda natës morën vendimin dhe e botuan për të grabitur Teatrin Kombëtar.

“Për të marrë vendimin për të mbështetur shqiptarët iu deshën dy javë, dhe dy javë për ta botuar në Fletoren Zyrtare, zgjaten për të dhënë ndihmë, por kur vjen puna për të grabitur bëhet brenda natës”, tha lideri i opozitës. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd