Transmetuar më 09-05-2020, 11:04

Konfirmohen 6 raste të reja me koronavirus, nga 224 testimet e kryera në 24 orët e fundit.

Tre raste janë shënuar në Tiranë dhe tre në Krujë, ndërsa janë shëruar 7 persona.

Deklarata u bë nga specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, e cila tha se sot është përqindja më e ulët e pozitivitetit ndaj totalit të testimeve, me vetëm 2.67 %.

Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk ka asnjë humbje jete.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 856 qytetarë. Prej tyre 627 qytetarë, pra mbi 70% tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 198 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Fier, Kamëz.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si Tiranë 95; Krujë 63; Shkodër 17; Kamëz 9; Fier 4; Kurbin 3; Elbasan 3; Mirditë 1, Berat 1; Durrës 1 dhe Korçë 1.

Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

“Siç jeni në dijeni edhe kjo fundjavë si fundjava e shkuar do të ketë të njëjtat rregulla. Do të lejohen të moshuarit sipas orarit të përcaktuar, si dhe familjet dhe fëmijët deri në 14 vjeç. Gjatë ditës së shtunë do të ushtrojnë aktivitetin marketet dhe farmacitë deri në orën 17:30 ndërsa të dielën do të jetë të mbyllura.  Ndërsa nga dita e hënë do të ketë një tjetër lehtësim masash. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë me shumë rigorozitet protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, u shpreh Dervishi.

Ajo shtoi se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj bëri thirrje të telefonojnë në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, i ftoi të telefonojnë në linjën e gjelbër 0800 40-40.

Në total qysh nga nisja e pandemisë janë kryer 10268, janë shëruar 627 persona dhe kanë humbur jetën 31 , në Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2 dhe Kukës 1.

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd