Transmetuar më 08-05-2020, 23:52

Koronavirusi ka infektuar 4 milionë njerëz në të gjithë botën ku gati gjysma e tyre janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të Bashkimit Evropian, raporton noa.al duke cituar të dhënat që publikon Worldometer.

Pak para mesnatës së sotme, u regjistruan 4.000.975 njerëz të infektuar. Por shumë ekspertë thonë se këta janë vetëm personat e testuar pasi numri mund të jetë shumë herë më i lartë.

Deri sot regjistrohen 275.352 të vdekur. Kurse rezultojnë 1.375.960 njerëz të shëruar.

Aktualisht janë në gjendje kritike për jetën nën terapi intensive rreth 50 mijë persona.

Sakaq, kjo ditë e premte 8 maj u mbyll me rreth 5 mijë të vdekur dhe afro 90 mijë të infektuar.

Një ditë më parë, të enjten, ishin afro 5.600 të vdekur dhe rreth 97 mijë të prekur. Që nga nisja e pandemisë, rastet e të infektuarve u shtuan me shpejtësi gjatë muajve mars dhe prill. Jemi në maj, dhe pandemia po vazhdon të jetë aktive në 214 vende të botës dhe nuk dihet se kur do të marrë fund. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd