Transmetuar më 08-05-2020, 11:06

Konfirmohen 8 raste të reja me koronavirus, nga testimet e kryera në 24 orët e fundit.

Ky fakt u bë me dije në raportin ditor të publikuar paraditen e sotme nga specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini.

Në 24 orët të fundit janë testuar 238 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 8 qytetarë, të shpërndarë, në Tiranë 3 raste, Krujë 2 raste, Shkodër 1 rast, Fier 1 rast dhe Kamëz 1 rast.

Gjithashtu janë kryer 18 testime në personel mjekësor dhe pacientë tek shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT dhe të gjithë të testuarit kanë rezultuar negativë për COVID019.

Gjatë këtij muaji është trefishuar numri i testimeve. Aktualisht ka një indikator pozitiviteti nën 5 %, një indikacion shumë i mirë lidhur me kontrollin e virusit.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë kryer mbi 10 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 850 qytetarë. 620 qytetarë tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 199 persona aktivë me COVID-19.

Momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 30 pacientë dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive.

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT, po vazhdon procesi i testimeve serologjike për grupet më të riskuara, ku përfshihet dhe validimi i tyre në lidhje me specificitetin dhe sensitivitetin ndaj COVID19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është nw Tiranë 93; Krujë  62; Shkodër 17; Kamëz          9; Kurbin 4; Fier 4; Elbasan 3; Mirditë 2; Berat 2; Durrës 1; Korçë 1 dhe Lezhë 1.

Në total qysh nga nisja e epidemisë janë kryer 10044 teste, janë konfirmuar 850 të prekur, 620 të shëruar, 199 raste aktive dhe 31 të vdekur, prej tyre 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 3 në Fier, 1 në Vlorë, 2 në Shkodër dhe 1 në Kukës.

Deri tani janë testuar 440 staf mjekësor dhe pacientë të konfirmuar, me një nivel 11.2 % të pozitivitetit të përgjithshëm.

“Këto janë rezultate paraprake dhe në ditët në vazhdim pritet të merret një kampion më i madh, kështu që këto rezultate mund të ndryshojnë. Në një fazë të dytë do të zgjerojmë testimin në popullatë për të parë % e saj që e ka kaluar sëmundjen.  Nga data 27 Prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së ri-hapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar në tregues të matshëm”, tha Tomini.

Ajo shtoi se lehtësimi i masave do të vijojë nëse do të kemi këtë situatë të qëndrueshme ku përllogaritet mesatarja e rasteve të reja, të shtruarit në spitale dhe pacientët në terapi intensive.

“Të nderuar qytetarë, pavarësisht situatës inkurajuese, funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave do të varet nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, ne do të vazhdojmë me lehtësimin gradual të masave sipas strategjisë së miratuar.  Nëse keni shenja të sëmundjes Covid-19, ju lutem telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.  Për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, deklaroi përfaqësuesja e ISHP.

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd