
Pandemia COVID-19 po vijon me shifra shqetësuese dhe në rritje duke shkaktuar çdo ditë dhjetëra mijë të infektuar dhe mijëra të vdekur.
Në 24 orët e fundit u regjistruan 5.408 njerëz të vdekur, kurse një ditë më parë, 6.811 të tjerë.
Këtë të enjte 7 maj u evidentuan mbi 91 mijë të infektuar, kurse ditën pararendëse edhe më shumë se 95 mijë të tjerë.
Aktualisht regjistrohen 3.908.816 njerëz të infektuar në të gjithë botën dhe mbi 270 mijë të vdekur.
Të dhënat e Worldometer evidentojnë se janë shëruar deri tani 1.335.713 persona të infektuar.
Aktualisht janë ende nën mbikëqyrje mjekësore 2.303.384 persona ndër të cilët rreth 49 mijë vetë janë në gjendje kritike.
Virusi i frikshëm ka depërtuar në 212 shtete të botës.
Shifrat më shqetësuese i kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vetëm 24 orët e fundit humbën jetën mbi 2 mijë njerëz. Në këtë vend janë gati të përditshme të tilla shifra duke bërë që të arrijë në afro 77 mijë numri i viktimave.
Britania e Madhe numëron aktualisht mbi 30 mijë të vdekur dhe diçka më pak, Italia. Spanja dhe Franca kanë rreth 26 mijë të vdekur secila.
Brazili numëron mbi 9 mijë të vdekur, kurse Gjermania 7.392. Belgjika ka mbi 8.400 të vdekur, kurse Holanda 5.288.
Shifra shqetësuese ka dhe Irani me mbi 6.400 të vdekur dhe Kanadaja më shumë se 4.400 të tjerë.
Suedia numëron deri sot 3.040 të vdekur ndër më shumë se 24 mijë njerëz të infektuar. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





