PËRPLASJE PËR EKONOMINË/ Rama: Nuk do kemi recesion. Sejko: Recesioni do të jetë i thellë
Transmetuar më 07-05-2020, 20:51

Kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko përplasen në distancë lidhur me ekonominë e vendit duke bërë deklarata ekstremist të kundërta mbi të ardhmen. Rama siguroi opinionin publik se Shqipëria dhe asnjë vend tjetër nuk do të bien në recesion, kurse Sejko pohoi se recesioni do të jetë i pashmangshëm kudo, raporton noa.al.

Rama: Nuk ka recesion

Për kryeministrin Edi Rama, Shqipëria nuk do të bjerë në recesion, madje sipas tij asnjë vend nuk do të bjerë në recesion. Duke komentuar shifrat që priten në ekonomi, Edi Rama hodhi poshtë parashikimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore se ekonomia e Shqipërisë do të bjerë me 5 për qind, duke thënë se kjo rënie do të jetë shumë më e lartë, midis 8 deri 10 për qind.

Por a quhet ky recesion? Rama thotë se jo: "Jo. Nuk quhet recesion. Shqipëria nuk do të bjerë në recesion. Askush nuk do bjerë në recesion. Një goditje momentale nuk është recesion, është goditje momentale e ekonomisë dhe pastaj të gjitha vendet do të fillojnë të ringrihen me instrumentet që do të kenë në dispozicion", – u shpreh kryeministri dje në një intervistë televizive.

Sejko: Recesioni do të jetë i thellë

Por ndryshe mendon Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në të njëjtën ditë, ai foli para medias mbi situatën, duke pohuar se ekonomia shqiptare do të shohë një recesion të thellë për shkak të pandemisë.

"Efektet në ekonominë tonë do të jenë të forta, ashtu si në të gjithë botën. Të gjitha ekonomitë, ajo e Eurozonës, e rajonit, ekonomia botërore do të kenë një ndikim të fortë dhe rritje ekonomike negative; të gjitha parashikimet janë që do të ketë recesion", – u shpreh z.Sejko.

"Parashikimet tona janë të ngjashme me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për nivelet e recesionit”, shtoi ai duke komentuar faktin se FMN dhe BB parashikojnë që rritja ekonomike në Shqipëri do jetë -5% gjatë 2020. /noa.al/

Loading...