

Naftëtarët e Ballshit edhe sot protestuan për situatën në të cilën ata ndodhen prej vitesh. Partia Demokratike akuzon Qeverinë se mashtroi ditën për diell duke mos u dhënë atyre pagën e premtuar.
Enkelejd Alibeaj tha në konferencë për mediat se shteti ka lënë mes katër rrugëve këtë kategori.
Sipas tij, naftëtarët janë goditur nga dy të këqia:
1. Nga korrupsioni i qeverisë, që është shkak për mosmarrjen e pagave prej më shumë se 2 vjetësh.
2. Nga propaganda e qeverisë, e cila nxjerr vendime në letër, por nuk i zbaton në realitet.
“Vendimi i datës 22 prill e thotë shprehimisht se naftëtarët e Ballshit, të gënjyer e të mashtruar për kaq muaj nga qeveria e Edi Ramës për rrogat e tyre, do të merrnin një pagesë ndihme prej 400 mijë lekësh.
E vërteta është se kjo ndihmë nuk ka mbërritur as tani që flasim në llogaritë e 800 naftëtarëve. Fjalët e qeverisë me realitetin e barkut bosh dhe dinjitetit të nëpërkëmbur bëjnë dallim si nata me ditën”, tha ish-deputeti.
Ai kërkon nga Qeveria të marrë masa të menjëhershme për të shmangur pasojat e rënda.
“Pa masa të menjëhershme, pa rritjen e ndihmës për qyetarët dhe bizneset, pandemia e virusit COVID-19 do të shndërrohet në pandeminë ekonomike Rama 2020”, përfundoi Alibeaj. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





