Transmetuar më 06-05-2020, 12:00

Është mbajtur ditën e sotme mbledhja e radhës e komisionit për Reformën Zgjedhore.

Bashkëkryetarja e këtij komisioni, përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, deklaroi se komisioni po sheh të gjitha propozimet që janë paraqitur nga palët.

Sipas saj, konsensusi është fjalia kryesore, duke thënë se “Beteja ime për sistemin zgjedhor do të vazhdojë. Parlamenti sot nuk e gëzon sovranitetin e popullit. Jam gati që Shqipëria të ecë përpara dhe të futet në BE dhe Reforma Zgjedhore të mbarojë sa më parë. Kemi shansin të anëtarësohemi në BE dhe pse të ngelet peng Reforma Zgjedhore. Të lëmë interesat e ngushtë politike por të shohim interesat e shqiptarëve”.

Nga ana e tij bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri tha se ishte një raportim për punën e Këshillit Politik dhe se Kuvendi na ka lënë një afat për në 30 qershor dhe ky duhet të jetë afati i fundit pasi Reforma Zgjedhore është pikë themelore para uljes në konferencën ndërqeveritare.

Sipas tij, opozita jashtëparlamentare duhet ta shfrytëzojë këtë kohë në mënyrë që Kuvendi në qershor të shqyrtojë për draftet.

“Nuk i kuptova disa deklarata të opozitës se a janë gati të vazhdojnë me dialogun apo këto draftet që propozojnë. Puna e atij Këshilli u ndërpre prej pandemisë. Le ta rifillojmë aty ku e lamë. Dora jonë është e shtrirë, por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng këtë proces. Dua të nxis dialogun, kam folur me diplomatë të jashtëm dhe nuk kam marrë përgjigje definitive. Kuvendi i ka votat, do përpiqemi dhe me opozitën parlamentare t’i bëjmë votat. Dëshira ime është që opozita të jetë pjesë integrale”, tha Gjiknuri.

Ai bëri me dije se do ndërmarrë hapa për rifillimin e Këshillit Politik javën e ardhshëm, duke thënë se një organ i tillë nuk ka kuptim pa opozitën si pjesë negociuese.

“Shpresoj të kemi mundësi të gjejmë kompromis. Kolegji Zgjedhor ka ardhur momenti se është çështje kohësh derisa të krijohet Apeli që do të jetë edhe institucioni që do trajtojë ankesat. Kemi rënë dakord që të përfshihet teknologjia, që KQZ të merret me votën e emigrantëve pra si do të bëhet votimi në distancë. Nuk i kemi lidhur duart vetes vetëm me ligj por organet të bëjnë rregullat”, tha ai. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd