Transmetuar më 06-05-2020, 11:36

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, flet për politizim antiligj të Komitetit të ekspertëve të pandemisë.

Ai kujton se ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi dje se “Komiteti i ekspertëve drejtohet nga zëvendësministrja e e Shëndetësisë, profesoreshë Mira Rakacolli, dhe ka në përbërje ekspertë të ndryshëm të fushave të ndryshme”.

Në këtë drejtim ai kujton se çfarë kërkon LIGJI Nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”.

Në Nenin 24 pika 7 dhe 8 përcakton:

“7. Veprimtaria e grupeve të ekspertëve bazohet në parimet e ekselencës, pavarësisë,

paanësisë dhe transparencës”.

“8. Çdo ekspert duhet që, përpara çdo vlerësimi, të plotësojë një deklaratë të konfliktit të

interesit dhe përkushtimit, duke përfshirë këtu çdo aktivitet, pozicion, rrethanë ose fakte që përfshijnë interesa të lidhur, në mënyrë direkte apo indirekte, me atë që ai do të kryejë, në mënyrë që të identifikohen interesat që mund të konsiderohen të dëmshme për pavarësinë e këtyre ekspertëve.”

Sipas tij, drejtimi i grupit të ekspertëve nga zv.ministrja është tërësisht i paligjshëm dhe dhunshëm godet detyrimet e ligjit siç thotë se duket shume qartë.

Ai pyet se ku është ekselenca, pavarësia, paanësia dhe trasparenca, kur drejtimi është politik nga një zv.ministre politike, e cila nuk është as eksperte e fushës dhe a e kanë plotësuar ekspertët deklaratën konfliktit të interesit dhe përkushtimit që sigurojnë pavarësinë e tyre sipas nenit 24 pika 8 të ligjit.

Vasili deklaron se i gjithë grupi është një task forcë e qeverisë dhe aspak një grup ekspertësh.

Ai shton se në të gjithë grupin ka vetëm një epidemiologe, që është Silva Bino, në një kohë që duhej të ishte e kundërta dhe shumica dërrmuese duhej të ishin epidemiologë pasi kemi të bëjmë me një pandemi.

“Ç’punë kanë drejtorë qeverie gjithfarësh në një grup, që duhet të përbëhet nga ekspertë të mirëfilltë? Si mund të jenë të pavarur drejtorët e qeverisë? Kjo është ta shndërrosh të ashtuquajturin grup në një freskore të qeverisë dhe asgjë më shumë”, shkruan Vasili.

Më tej ai sjell edhe përbërjen e komitetit të përkohshëm për infeksionin e Covid-19 qe u ngrit më 31 janar 2020.

Kryesohet nga zëvendësministrja Mira Rakacolli dhe përbëhet nga 11 anëtarë të tjerë:

Flutra Beqo, drejtoreshë në Ministrinë e Shëndetësisë

Albana Fico, drejtoreshë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP)

Silva Bino, drejtoreshë në ISHP

Vjollca Braho, kryeinspektore e ISHP-së

Najada Como, përgjegjëse shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT)

Tritan Kalo, mjek infeksionist në QSUT

Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare

Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor

Andi Koraqi, përgjegjës shërbimi në QSUT

Gjeorgjina Lito, infeksioniste pediatre në QSUT

Narvina Sinani, drejtoreshë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Vasili e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se “Natyrshëm lind pyetja: Çfarë kërkon të fshehë qeveria, që e shtrëngon atë të shkelë haptas ligjin duke krijuar një komision të tillë??” /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd