







Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Arizona këtë të martë, paralajmëroi rihapjen e vendit, edhe me koston e më shumë viktimave.
“Nuk mund ta mbajmë vendin të mbyllur për pesë vitet e ardhshme. Disa do të goditen ashpërsisht? Po. Por duhet të hapim vendin dhe duhet ta bëjmë sa më shpejtë. A do të ketë jetë të humbura? Po, por nuk mund të rrimë të ngujuar në shtëpitë tona”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë për Abc News.
Donald Trump i bëri këto deklarata pasi vizitoi një fabrikë që prodhon maska në Arizona, duke u shfaqur pa asnjë lloj mbrojtjeje, ndërsa personat që e shoqëronin ishin të gjithë me maska.
Ndërkohë në 24 orët e fundit në SHBA u rikthye bilanci i rënduar i viktimave prej 2.333 të vdekur, ose dyfishi i një dite më parë kur u shënuan 1.324 jetë të humbura.
Numri total i viktimave qysh nga nisja e pandemisë në SHBA ka shkuar në 72.271, ndërsa i të prekurve në 1.237.633. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





