Transmetuar më 05-05-2020, 15:03

Këshilli i Lartë Gjyqësor i mbledhur ditën e sotme për mandatin e kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, e ka shtyrë vendimin.

Këshilli njofton se bëri shqyrtimin e shkresës së Presidentit të Republikës lidhur me qëndrimin e mëtejshëm në detyrë të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Pas shqyrtimit të shpjegimeve të dhëna nga zoti Dvorani si dhe propozimeve të disa anëtarëve të tij, Këshilli, me shumicë votash, vendosi shtyrjen e shqyrtimit të kësaj çështjeje.

Kjo shtyrje u bë me qëllim që të njohë zotin Dvorani me vendimet dhe relacionet përkatëse të Këshillit për hapjen e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, korrespondencën e institucionit të KLGJ-së, me Presidentin e Republikës, për dekretimin e anëtarëve të rinj në të, si dhe marrjen e një opinioni ligjor nga misionet partnere që asistojnë Këshillin.

Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta, njoftoi KLGJ se Dvoranit i ka mbaruar mandati dhe për rrjedhojë, nuk mund të jetë pjesë e KED dhe as anëtar në Gjykatën e Lartë.

Dvoranit i ka mbaruar mandati qysh prej vitit 2014 në Gjykatën e Lartë, por për shkak të mungesës së gjyqtarëve ka qenë anëtar, ndonëse mbante detyrën e kreut të KED. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd