
Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë italiane, është vënë në prangat e policisë së Fierit.
“Kreshpan” u kodua operacioni i kurorëzuar mbrëmjen e së hënës, ku u arrestua një person i dënuar në Itali për trafik droge.
Si rezultat i operacionit, në fshatin Kreshpan, në banesën e tij u kap dhe u arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, Sokol Rukaj, 50 vjeç, banues në Cakran, Fier.
Kapja e tij u bë në bashkëpunim mes policisë së Fierit, Interpol Tirana dhe Interfoza italiane, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë operative.
Arrestimi i Rukaj u bë pasi gjykata e Ankonës, Itali, e ka dënuar me 8 vjet e 10 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Ndaj 50-vjeçarit për ndjekje të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





