Transmetuar më 05-05-2020, 10:26

Nga varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku bëri homazhe me rastin e 5 Majit, Presidenti Ilir Meta u pyet lidhur me vendimin që pritet të marrë sot Këshilli i Lartë Gjyqësor për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Ai tentoi që ta anashkalojë përgjigjen duke thënë se, sot është ditë për tu angazhuar në mënyrë që Shqipëria e lirë dhe demokratike të arealizohet plotësisht.

“Sot është dita e dëshmorëve, dita e nderimit tonë për ata që kanë dhënë jetën dhe gjithçka të shenjtë për vendin tonë, është një ditë për të shprehur përulësinë ndaj veprës së tyre, për të përshëndetur familjarët e tyre dhe pasardhësit dhe familjet që kontribuan dhe sakrifikuan gjatë asaj lufte. Është ditë për tu angazhuar në mënyrë që Shqipëria e lirë dhe demokratike për të cilën ata dhanë jetën, të realizohet plotësisht”, u shpreh kreu i shtetit.

Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta, njoftoi KLGJ se Dvoranit i ka mbaruar mandati dhe për rrjedhojë, nuk mund të jetë pjesë e KED dhe as anëtar në Gjykatën e Lartë.

Dvoranit i ka mbaruar mandati qysh prej vitit 2014 në Gjykatën e Lartë, por për shkak të mungesës së gjyqtarëve ka qenë anëtar, ndonëse mbante detyrën e kreut të KED. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd