
Drejtorja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino pohon se një person që është testuar katër herë deri tani, në të gjitha rastet ka rezultuar pozitiv.
Bëhet fjalë për pacient i cili pasi u testua dhe rezultoi me koronavirus iu nënshtrua mjekimit dhe më pas iu bë testi sërish për të parë nëse ishte më i infektuar. Ky test u bë 14 ditë pas shërimit dhe u përsërit pasi doli pozitiv. Sërish testi u përsërit dhe për herë të katërt ka dalë pozitiv edhe pse është plotësisht i shëruar.
“Është një rast deri tani që në katër ritestime del pozitiv. Diskutohet dhe sot në botë se si do të veprohet me këta persona, a janë infektues ata? Pasi ka mundësi që ngarkesa e tyre virale të jetë pozitive por ngarkesa të jetë tepër e ulët dhe nuk janë infektues. Ky rast për ne nuk quhet i shëruar, por mendojmë që do të negativizohet”, deklaroi znj. Bino.
Lidhur me pretendimin se, COVID-19 mund të ketë qarkulluar që prej muajit janar në vendin tonë, znj. Bino u shpreh skeptike, por nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të jetë e vërtetë.
“Duhet ta vlerësojnë ekspertët nëse janë imazhe të coronavirusit apo të sëmundjeve virale. Gjatë dhjetorit dhe janarit kemi pasur qarkullim masiv të gripit. Ka qenë viti më i vështirë i gripit”, deklaroi drejtorja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





