Transmetuar më 05-05-2020, 00:42

Fluturimet kanë nisur këtë muaj, dhe mbajtja e maskave po bëhet e detyrueshme. Maska duket se do të jetë pjesë e pandashme e udhëtimeve ajrore. Këtë e demonstrojnë fluturimet që Wizzair ka nisur me Austrinë dhe Britaninë e Madhe duke fluturuar në drejtim të Vjenës dhe Londrës.

Disa prej kompanive kryesore po u kërkojnë pasagjerëve të mbajnë maska në përpjekjen për të frenuar përhapjen e virusit. Ndërsa 90 përqind e fluturimeve ndërkombëtare janë anuluar, kompanitë rreth botës shpresojnë që të rinisin gradualisht aktivitetin nga ky muaj.

Nga e hëna, amerikania Delta e bën të detyrueshme mbajtjen e maskave në aeroport dhe gjatë të gjithë fluturimit. Gjithashtu American Airlines dhe United njoftuan se do kërkojnë të njëjtën gjë për pasagjerët e tyre dhe pjesëtarët e ekuipazhit.

Përfaqësues të linjave ajrore thanë se masat janë të përkohshme e synojnë garantimin e sigurisë e paqes mendore të klientëve. Mbajtja e maskës sugjerohet edhe nga shoqata ndërkombëtare e transportit ajror.

Por jo të gjithë do të ndjekin këtë shembull. Qantas tha se në Australi nuk kërkohet mbajtja e maskave dhe se do të mjaftohen me zbatimin e rregullit të distancimit social në avionë.

Ndër masat e tjera që do të merren janë dezinfektimi i zonave më të frekuentuara në aeroport, dhe reduktimi i numrit të pasagjerëve në avionë.

Qytetarët po inkurajohen gjithashtu të marrin ushqim e pije të paketuara në mënyrë që të minimizojnë kontaktet.