Transmetuar më 04-05-2020, 23:32

Epidemiologu shqiptar Skënder Myrtezani, njëkohësisht edhe profesor i Mjekësisë Klinike në prestigjiozen Cornell University, thotë se muaji maj është deciziv për mposhtjen e koronavirusit dhe paralajmëron se nëse nuk ndodh kjo, vera do të jetë shqetësuese.

Mjeku me origjinë shqiptare është pro shtrëngimit të masave të izolimit. “Problemi më i madh tani qëndron tek disiplina e komuniteteve. Në qoftë se merren të gjitha masat mbrojtëse, me disiplinë si në kohë lufte, virusi në maj do të zbehet. Por me një qasje tjetër, mund të kemi një verë të vështirë”.

Profesori është gjithsesi optimist për lajmet që vijnë nga ilaçi i testuar kundër koronavirusit, Remdesviri, që sipas tij ka dhënë rezultate befasuese dhe se përbën “ shpresën e madhe” të përgjigjes ndaj koronavirusit, ndërkohë që mendon që vaksina është ende disi larg, sepse një testim i përshpejtuar mund të jetë tejet i rrezikshëm.

Situata në Shtetet e Bashkuara mbetet një nga “fushëbetejat” më kritike në luftën ndaj koronavirusit, me të prekurit nga COVID-19 që tashmë kalojnë 1 milion e 200 mijë personat, me afro 70 mijë viktima.

Në intervistën për A2, dr. Myrtezani u ndal edhe në situatën në SHBA dhe perspektivat me të cilat duhet të mësojmë të bashkëjetojmë në muajt në vijim.

“Sot Amerika po tregon një larmi në numrin e vdekshmërisë. Nju Jorku ishte i pari me dy të tretat e vdekjeve, ndërkohë që sot ka më pak se një të katërtat. Dua të theksoj gjithsesi që SHBA nuk ka vdekshmërinë më të madhe në raport me popullsinë, por të nëntën”, thotë Myrtezani, që gjithsesi mendon se statistika e dhënë nga presidenti Trump, për një bilanc që mund të shkojë në 100 mijë të vdekur, mund të jetë realist.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd