Transmetuar më 04-05-2020, 13:08

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tërhoqi vëmendjen ndaj atyre që i quan kërkesa të parakohshme për rihapje të shtetit. Ai tha se ai e dinte që njerëzit po hasnin vështirësi për shkak të papunësisë, por ai tha se ishte e nevojshme më shumë kohë për të kuptuar situatën e krijuar nga koronavirusi.

Ndërsa rreth gjysma e shteteve kanë rihapur pjesërisht ekonomitë e tyre gjatë kësaj fundjave, zoti Cuomo tha se kishte nevojë për më shumë informacion mbi atë që po bënte pandemia në shtetin e tij, më i godituri në vend nga sëmundja, përpara se të merrte vendim për të lehtësuar kufizimet që synojnë të frenojnë përhapjen e saj.

"Kur noton në ujëra të paeksploruara, nuk do të thotë se duhet të veprosh verbërisht", tha ai. Cuomo shtoi se në këtë situatë është e nevojshme “përdorimi i informacionit për të përcaktuar veprimet pa u udhëhequr nga emocionet e politika apo nga ajo që mendojnë apo ndjejnë njerëzit. Faktet tha zoti Cuomo duhen të jenë baza e gjykimit.

Guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy i bëri jehonë qasjes së ngadaltë për hapje të ekonomisë nga ana e zotit Cuomo edhe pse shteti i tij raportoi një "tendencë pozitive", një rënie të numrit të pacientëve në spital me COVID-19.

Ndërsa numri i vdekjeve ka qenë më i ulët gjatë ditëve të fundit, në Nju Xhersi ka qëndruar në 7,742, fakt të cilin zoti Murphy e përmendi si një arsye kryesore për mbajtjen në fuqi urdhrat e qëndrimit në shtëpi.

Në New Jersey, banorët kanë patur mundësinë e qasjes në më shumë hapësira të gjelbra pasi guvernatori lejoi hapjen e parqeve të shtetit dhe fushave të golfit për herë të parë pas një muaji, duke paralajmëruar se do të mbyllen përsëri nëse shkelen kërkesat për distancimin fizik.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd