Transmetuar më 04-05-2020, 11:43

“Asnjë s’do mbetet pa marrë atë që i takon me ligj e me zakon!” Kështu thotë Kryeministri Edi Rama i cili bën me dije se në mënyrë të përsëritur, individë që përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar, i shkruajnë në Whatsap dhe në rrjetet sociale lidhur me të ashtuquajturën “pagë bonus” në kushtet e emergjencës së koronavirusit.

“U lutem të jenë konkretë e të lënë të dhëna të sakta për biznesin ku kanë punuar, jo komente të përgjithshme, në Ministrinë e Financave ose tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e me plot të drejtë ankohen për punëdhënësin e tyre. Disa subjekte në kategorinë biznes i madh, nuk aplikojnë për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende pagesën 40 mijë lekë! Bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish u kanë kthyer kurrizin! Kjo është e patolerueshme!”, shkruan Rama.

Ai bën me dije se ditën e sotme do të miratohet një gjobë kuptimplotë për subjektet e biznesit të madh, që tradhtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë as një aplikim 3 minuta në emër të kompanisë për ta.

Sipas tij, kush nuk do ta marrë mundimin të aplikojë tek tatimet, që punonjësit të marrin pagesën 40 mijë lekë, do të gjobitet për çdo punonjës që ka braktisur në këtë mënyrë të patolerueshme.

“Pikë e zezë! T’u mohosh punonjësve të tu një pagesë që s’ua jep ti po shteti!!! Le të provojnë të mos e bëjnë urgjent dhe e shohim sa mirë do u dalë kjo papërgjegjshmëri sociale! Ndërkohë vazhdon shpërndarja e ndihmës financiare dhe këtë javë nis lëvrimi i këstit të dytë të pagës së luftës, si edhe ndihmës ekonomike dyfish”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë bën me dije se po vijojnë të asistohen rreth 3 mijë individë që nuk kanë aplikuar për pagën e luftës, si edhe një numër individësh të tjerë, të cilëve u është miratuar, por ende jo lëvruar paga për shkak të pasaktësisë në aplikime, ku nuk kanë njoftuar kodet e duhura bankare. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd